Parandalohet një rast i kontrabandimit me mallra në Han të Elezit
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në Han të Elezit, ku ka arrestuar një person.
Sipas Policisë, pas informatave intelegjente dhe aktiviteteve në teren, me 21.09.2024 rreth orës 20:00 në fshatin Seqishte të Hanit të Elezit, kanë vërejtur një automjet të dyshuar duke tentuar të kalojë vijën kufitare.
Drejtuesi i automjetit me inicialet Z.A., i moshës 40 vjet, shtetas i Maqedonisë së Veriut, duke tentuar të ikë në drejtim të Maqedonisë së Veriut ka shkaktuar vetë-aksident.
Gjatë kontrollit në automjet Policia ka gjetur se brenda tij ishin ngarkuar 120 atlete dhe 260 palë veshje. Dyshohet se malli është tentuar të kontrabandohet nga territori Kosovës për në territorin e Maqedonisë së Veriut.
“Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, ku me urdhër të tij, i dyshuari dërgohet në mbajtje 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohen dhe dërgohen në terminal doganor për procedura të mëtejme ligjore” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.