Parandalohet kontrabanda në Han të Elezit (FOTO)

Në pikë-kalimin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Han të Elezit, oficerët doganor, kanë parandaluar kontrabandimin e mjeteve të ndryshme të punës. Rasti, sipas zyrtarëve të Doganës së Kosovës, ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme.

Një automjet, ka arritur në pikë-kalim ndërsa drejtuesi i tij është pyetur nga oficerët doganor nëse ka mallra për të deklaruar. Ai, sipas njoftimit nga Dogana, është përgjigjur se nuk ka asgjë. Mirëpo, gjatë kontrollit të bërë nga doganierët, në veturë, në pjesën e gomës rezervë, janë gjetur mallëra të padeklaruara të fshehura me qëllim të kontrabandimit.

Mallrat e gjetura ishim: vida të llojeve dhe madhësive të ndryshme, tehe, rrafshuese me bateri. Të gjitha mallrat e gjetura janë konfiskuar si dhe është iniciuar procedura kundërvajtëse, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.