Parandalohet futja e drogës, telefonave e tabletave në Burgun e Dubravës

Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se ka arritur të parandalojë futjen e kontrabandës brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës.

Sipas njoftimit, në tunelin e Portës së Re të hyrjes së Qendrës kanë lokalizuar automjetin transportues të kompanisë së kontraktuar për furnizime të kantinave dhe gjatë kontrollit janë identifikuar disa mallra që janë tentuar të futen brenda Qendrës.

“Me të pranuar informacionin, i menjëhershëm ka qenë reagimi i menaxhmetit të QKD-së, i cili ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç`rast në tunelin e Portës së Re të hyrjes së qendrës kanë lokalizuar Automjetin Transportues të kompanisë së kontraktuar për furnizime të kantinave në SHKK, ku gjatë kontrollit të detajuar brenda hapësirave të Automjetit Transportues në mënyrë të kamufluar është tentuar të futet brenda qendrës: substancë e dyshuar narkotike 748 gr, 11 telefona mobil, 8 kabllo të adapterëve, 2 koka të adapterëve, 5×20 tableta të dyshuara të llojit DBOLMAX, dhe 212 tableta të dyshuara si ekstazi”- thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Lidhur me rastin është njoftuar Policia, ndërsa SHKK thotë se ka filluar hetimet dhe shumë shpejt do të dal me një raport të detajuar.

Të mërkurën, në emisionin “Kallxo Përnime” u shfaqën pamje ekskluzive nga aksioni në Burgun e Dubravës, ku dyshohej se ishin futur drogë e telefona.