Parandalohen kontrabandime me mallra, sekuestrohen 300 kilogramë kumbulla e 25 thasë duhan

300 kilogramë kumbulla e 25 thasë duhan janë sekuestruar të martën nga Policia e Kosovës në dy raste të ndryshme të parandalimit të kontrabandimit me mallra, në fshatrat Breznicë dhe Stubëll.

“Njësia e Task Forcës pranë DRPK- Lindje ka ndërmarrë masa të nevojshme operativo-taktike duke bërë prita dhe kontrolle në rrugët e brezit kufitar dhe rrugët dytësore dhe rajonale, ku si rezultat i kësaj janë parandaluar dy raste të kontrabandës me mallra” – thuhet në njoftimin e policisë.

Në rastin në Breznicë Policia ka ndaluar një automjet të dyshuar që ka hyrë në territorin e Kosovës nga Serbia, ku ka gjetur dhe sekuestruar rreth 300 kilogramë kumbulla të thara pa dokumente përcjellëse.

Drejtuesi i automjetit, A.A. është recidivist i veprave penale të kontrabandimit të mallrave.

Në rastin tjetër, në fshatin Stubëll të Vitisë, janë gjetur 15 thasë duhan të përpunuar në makinë e llojit BMË X5 e drejtuar nga K. M., kurse përgjegjës i mallit sipas policisë dyshohet të jetë J. K.

“Gjatë kontrollit të automjetit është parë se kishin të ngarkuar rreth 15 thasë duhan të përpunuar të cilin të dyshuarit e kishin marrë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Të dyshuarit mallin kishin në plan për ta dërguar te një person në një fshat të komunës së Vitisë, ku nga njësia e Task Forcës është identifikuar edhe personi i tretë në rast, tek shtëpia e të cilit janë sekuestruar edhe 10 thasë duhan të njëjtë” – njofton policia.

Prokurori i shtetit ka urdhëruar që rastet të iniciohen si “Kontrabandim me mallra”, kurse malli të sekuestrohet dhe të dërgohet në Doganë.

Policia njofton se rastet janë duke u trajtuar nga njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale Kufitare Lindje në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe Doganën e Kosovës.