Ferizaj

Parambrëmjet e Maturës, komuna e Ferizajt kundër

Pothuajse në të gjitha shkollat e mesme në Kosovë, nxënësit maturantë organizojnë një ndejë të ashtuquajtur ‘parambrëmje’, por një gjë të tillë Drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani po e kundërshton.

Drejtoria e Arsimit, Këshilli i Prindërve dhe drejtorët e shkollave të mesme në Ferizaj, sot kanë mbajtur një takim për të biseduar rreth kësaj çështje.

“Konfirmoj se Drejtoria e Arsimit, Këshilli i Prindërve dhe drejtorët e shkollave të mesme në Ferizaj distancohen nga ky organizim meqënëse nuk janë organizatorë të saj “, ka thënë Afrim Llabjani Drejtor i Arsimit në Ferizaj.

Ai gjithashtu bëri apel te prindërit që të kenë kujdes kur shqyrtojnë lejen e pjesëmarrjes së fëmijëve të tyre në këto ngjarje.

“Apeloj te prindërit që të kenë kujdes e ta shqyrtojnë lejen e pjesëmarrjes së fëmijëve të tyre në ngjarje të këtilla”, u shpreh mes tjerash Llabjani.

Gjithashtu temë tjetër që u diskutua në këtë takim ishin edhe fenomenet negative përskaj objekteve shkollore, që sipas drejtorit po e dëmtojnë procesin e rregullt mësimor.

“Qeverisja lokale ka marrë të gjitha hapat e nevojshme që të eliminohen në tërësi këto dukuri negative, por lypset reagim dhe më i fuqishëm i organeve të sigurisë dhe drejtësisë që të zhbëhen këto fenomene nga shkollat dhe hapësirat përskaj tyre”, thuhet tutje në njoftimin e komunës së Ferizajt.