Gabriel Escobar, Albin Kurti dhe Miroslav Lajçak në konferencë për media | Foto: ZKM

Paralajmërohet takim midis Kurtit, Escobarit dhe Lajçakut

Në prag të rundit të ri të dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të zhvillojë takim në Bruksel në mbrëmjen e 17 gushtit me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, mëson Radio Evropa e Lirë.

Sipas burimeve diplomatike, ky takim dëshmon koordinimin gjithnjë e më të ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian rreth Kosovës.

Burimet diplomatike i thanë REL-it se Uashingtoni dhe Brukseli kanë interes të përbashkët paqen e stabilitetin në rajon, si dhe realizimin e aspiratave që rajoni i Ballkanit Perëndimor të integrohet në familjen evropiane.

Ky bashkëpunim është i domosdoshëm për të arritur sukses edhe në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, thanë burimet diplomatike.

Kurti dhe Vuçiq do të takohet më 18 gusht në Bruksel, në rundin e ri të dialogut. Temë e bisedimeve, sipas agjendës së publikuar nga BE-ja, do të jetë edhe synimi që të ulen tensionet mes dy vendeve.

Tensionet u rritën pasi më 31 korrik dhe 1 gusht, pasi serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës/REL/.