Paralajmërohet rritje enorme e çmimit të naftës në Kosovë (VIDEO)
Çmimi i naftës ka shkuar në 1 euro e 40 centë ndërsa sipas paralajmërimit të Shoqatës së Naftëtarëve mund të rritet edhe më tej.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka deklaruar në “KallxoPernime” se çmimi i naftës do të shkojë deri në 1 euro e 60 centë.
“Sa i përket çmimit të naftës a do të ketë shanse me u zbrit apo me u rritë, më të mëdha janë shanset që të rritet sesa të bjerë. Sipas gjasave do të shkojë edhe deri në 1.6 euro”, ka deklaruar Berjani.
“Çmimin e përcakton berzha por, sipas mendimit tonë dhe sipas trendit mundet me qenë deri në javën tjetër”, ka shtuar ai në “KallxoPernime”, ku është diskutuar për rritjen e çmimeve në Kosovë.
Ndërkaq ai ka theksuar se Kosova ka çmime më të lira të derivateve në krahasim me vendet e rajonit, duke përjashtuar Maqedoninë e Veriut, e cila, sipas tij, e ka më lirë.
“Në rajon e kemi më së liri çmimin, përveç Maqedonisë së Veriut e cila e ka naftën më lirë se ne”, ka deklaruar Berjani.
Ai ka treguar se brenda 24 orëve në Kosovë hyjnë rreth 70 autobote me derivate.