Foto: Bashkia e Shkodrës

Paralajmërohet restaurimi i Kalasë së Drishtit në Shqipëri

Kalaja e Drishtit ndër të rrallat e banuara në Shqipëri, 17 kilometra larg Shkodrës, sipas njoftimit të Bashkisë së Shkodrës do të restaurohet duke përfshirë edhe objektet e tjera rreth kësaj hapësire.

Kalaja e Drishtit është pjesë e trashëgimisë kulturore dhe brenda saj gjenden 11 shtëpi të fshatit që formojnë lagje. Nga Bashkia e Shkodrës thonë që edhe shtëpitë do të restaurohen si pjesë të rrethinës së kalasë.

‘’Rivitalizimi i zonës së Kalasë së Drishtit, evidentimi dhe përforcimi i gjurmëve historike, restaurimi dhe rijetëzimi i objekteve dhe hapësirave të banuara brenda Kalasë, kthimi i lagjes së banuar në gjendje funksionale dhe tërheqëse për turistët”- është paraparë të përfundohet në planin e Bashkisë së Shkodrës.

Sipas banorëve të Drishtit projekti “Rijetizimi dhe përmisimi i vlerave të Kalasë së Drishtit”, ka qenë i paraparë të realizohet që nga viti 2020 nga Qeveria e Shqipërisë ndërsa është vonuar për këtë vit.

Urim Tyrbetari banor i Drishit tregoi për KALLXO.com, që ky ishte premtim i qeverisë, por kjo zgjedhi ta asfaltojë vetëm rrugën ndërsa kalanë ta lë deri në këtë kohë.

“Rreth 15 vite nuk është asfaltuar rruga, në nëntor të vitit 2019 ka filluar dhe ka përfunduar në nëntor të vitit 2020”- tha ai.

Tyrbetari tregoi që aty jetojnë gjashtë familje si dhe restaurimi i vonshëm i kalasë ashtu edhe pritja prej 15 vjetësh për asfaltimin e rrugës e kanë vështirësuar gjendjen e tyre.

Për Kalanë e Drishtit nuk ka ndonjë dokument të saktë që fakton ngritjen e saj, përveç që dihet si një fortesë bizantine dhe mban statusin “Monument Kulture” që nga viti 1948.

Kjo kala është e rrethuar me shtëpi të vjetra që përbëjnë një lagje mendohet që është ngritur si vendbanim në rrugën Shkodër-Kosovë dhe po ashtu shërbente si fortesë për mbrojtjen e qytetit.