Paralajmërohet mundësia për vërshime në Kosovë

Instituti Hidrometerologjik i Kosovës, pas mesnatës ka njoftuar se reshjet e shiut pritet që të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, të cilat sipas tyre do të shtohen gjatë pasdites së shtune deri të hënën me intensitet dhe shtrirje të ndryshme territoriale.

Sipas njoftimit të IHMK-së,  këto reshje të theksuara do të jenë nëpër disa pjesë të Kosovës, sidomos në Dukagjin (Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Rahovec), pastaj pjesa veriore, qendrore, jugore edhe ajo lindore e vendit.

“Këto reshje mund të krijojnë kushte për vërshime të shpejta, (efekti flash flood), të cilët mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, sidomos tek rrjedhat lumore me karakter malorë në formë të rrëkeve të shpejta, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të sistemit të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim” – thuhet në komunikatën e IHMK-së.

Sipas tyre, reshjet më të larta së 30 l/m² në 12 orë shkaktim përmbytje, probleme në të gjitha aktivitetet e prodhimit bujqësor, probleme në trafik, rrezik për rrëshqitje dheu, lëndime të mundshme të njerëzve dhe dëmtim të pronës.