Paralajmërohet mini-maratonë në ndihmë fëmijëve të komuniteteve pakicë në Kosovë

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari – Lila, ka paralajmëruar pjesëmarrjen në një mini-maratonë të organizuar nga OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptasve”.

Me sloganin “Vrapojmë për Dije”, Kusari-Lila ka bërë të ditur së kjo minimartonë ka qëllim që të gjitha fondet e mbledhura nga organizimi dhe shitja e numrave të dedikohen për edukim të fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas.

“Kohëve të fundit në Kosovë janë shënuar disa sulme në përfaqësues të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas. Një djalë 12 vjeqar është dhunuar dhe vrarë. Një grua u rrah brutalisht në dy qendra të Kosovës, ndërsa ditë më parë u shënua edhe tentim dhunimi i 11 vjeçarit rom në mes të ditës në Prizren”, ka shkruar ajo.

“Fëmijët Rom, Ashkali dhe Egjiptas janë fëmijët e Kosovës dhe sikur çdo fëmijë, kanë të drejtën në jetë të sigurtë, në shkollim të mirëfilltë dhe në integrim pa paragjykim në shoqëri”, thuhet më tej në njoftimin e saj në rrjetin social ‘Facebook’.

Siç thuhet në komunikatë, një numër i blerë kushton vetëm 5 euro.

Numrat mund të blihen në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, ndërsa minimaratona mbahet të shtunën me 31 Gusht, në orën 10:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.