Foto- Ministria e Drejtësisë

Paralajmërohet mbledhja e qeverive të Kosovës e Shqipërisë

Qeveria e Kosovës dhe ajo e  Shqipërisë priten të mbajnë një mbledhje së shpejti ku pritet të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare mes dy shteteve.

Kjo u bë e ditur brenda një njoftimi të Ministrisë së Drejtësisë pas takimit të mbajtur mes Ministrit Selim Selimi me homologes së tij në Shqipëri Etilda Gjonaj.

Gjatë këtij takimi sipas njoftimit u diskutua për bashkëpunimin bilateral në fushën e drejtësisë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ndjenjë e veçantë të qëndroj për vizitë zyrtare sot në Republikën e Shqipërisë në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë së Kosovës dhe posaçërisht më gëzon fakti se mund të bëjmë së bashku gjëra të mira për kombin, për dy shtetet tona pro-perëndimore, me orientim të qartë euro-atlantik, në fuqizimin e sundimit të ligjit, si bazë e integrimit europian”, tha ministri Selimi.

Ministri Selimi dhe ministrja Gjonaj, gjatë këtij takimi diskutuan për ecurinë e reformave në drejtësi, agjendën legjislative, nismat për fuqizimin e luftës kundër korrupsionit në të dyja vende si dhe këmbimin e përvojave.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë sa i përket fushës së bashkëpunimit juridik tashmë në fushën penale kane të nënshkruara marrëveshje për Ekstradim, ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale, si dhe transferimin e personave të dënuar. Pra fusha e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve sa i përket çështjeve penale është e mbuluar, dhe funksionon përgjithësisht mirë”, deklaroi ministri Selimi.

Ndër tjerash gjatë takimit, dy ministrat diskutuan edhe për marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare, e cila do të nënshkruhet në mbledhjen e dy qeverive që do të mbahet së shpejti.

“Kemi folur edhe për një nga betejat më të rëndësishme, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si themel per shtetet tona dhe imazhin e tyre në rrjedhat globale, për të cilën u pajtuam se duhet qasje e guximshme dhe ndërtimi i politikave të reja, për të dëshmuar një vullnet të ri për të ecur përpara, me synimin për të hapur perspektiva të reja për zhvillimin e vendeve tona dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në familjen evropiane”, tha ministri Selimi.