Paralajmërohet lehtësimi i masave kundër COVID-19 në Kosovë

Në Kosovë është paralajmëruar lehtësimi i masave kundër COVID-19 pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin e pandemisë.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë para mediave se kanë vendosur të lehtësojnë masat, në bazë të atyre që kanë qenë në fuqi deri më tani.

“Ato (masat) kanë treguar efekt shumë të mirë. Kështu që ne do t’i lehtësojmë shumicën prej këtyre masave, ne i kemi propozuar sepse Qeveria duhet t’i aprovojë. Hyrja në kufi do të jetë nëse i ka dikush të dyja vaksinat, nëse e ka vetëm një duhet të ketë test. Ora policore është shtyrë deri në 12 të natës dhe fitneset do të hapen”, tha ai.

Ministri shtoi se restorantet do të mund të punojnë deri në ora 11:00.

Lehtësimi i masave pritet të hyjë në fuqi nga dita e shtunë pas miratimit nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Komiteti për menaxhimin e pandemisë sot është mbledhur për vlerësimin e situatës epidemiologjike dhe analizimin e vendosjes së masave të reja, kurse gjatë ditës së nesërme pritet të merret vendimi nga Qeveria e Kosovës.

Masat e fundit të Qeverisë kundër COVID-19 ishin marrë me datën 21 janar.

“Masat e miratuara hyjnë në fuqi nesër, më 22 janar 2022 dhe vlejnë deri më 4 shkurt 2022”, ishte thënë në vendimin e fundit të Qeverisë.

Masat që i kishte marrë Qeveria më 21 janar ishin vendosur në bazë të situatës epidemiologjike pas konfirmimit të rasteve me Omicron.

Sipas vendimit aktual të Qeverisë, të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë certifikatën e vaksinimit me dy doza kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

Tutje në vendim përcaktohet se shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.

Qeveria kishte marrë vendim që shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00 kurse muzika lejohet vetëm deri në orën 20:30.

Institucioni i Avokatit të Popullit, përmes një opinioni juridik për masat aktuale kundër COVID-19, kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të rishqyrtojë masën e kufizimit të qarkullimit nga ora 22:00 deri në orën 5:00.

Më datën 26 dhjetor 2021, në laboratorin e Mikrobiologjisë në IKShPK është detektuar varianti Omicron i SARS-CoV-2 në Kosovë.

Numri i rasteve aktive është 33 mijë e 538 raste, kurse numri i të vdekurve nga COVID-19 në Kosovë ka kaluar shifrën 3 mijë.

Ministria ka njoftuar dje se 1.7 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19 janë dhënë që nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë.