Paralajmërohet bllokimi i punës në Teatrin Kombëtar të Kosovës nga 1 nëntori

Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtare të Kosovës, ka paralajmëruar se nëse deri më 1 nëntor 2024, nuk do të merren për bazë kërkesat e sindikalistëve, atëherë do të anulohen të gjitha shfaqjet dhe do të ketë bllokim të plotë të punës së këtij teatri.

Më 16.09.2024, SHSATKK nisi një aksion sindikal me kërkesë për rritjen e koeficienteve të pagave për aktorët e trupës rezidente dhe të punëtorëve të TKK-së, duke filluar provat me 10 minuta vonesë.

Hapin e radhës lidhur me këtë kërkesë SHSATKK-së e mori të hënën, më 14.10.2024, me shtyrjen për një orë të dhënies së shfaqjes “1984” në kuadër të Festivalit “Skupi International Theatre Festival 2024” -në Shkup, që nisi edicionin me shfaqjen e TKK-së.

Përmes një komunikate për media, SHSATKK ka bërë të ditur se në përputhje me paralajmërimin e bërë më 16 shtator 2024, shfaqja “1984” e TKK-së, që hapi festivalin ITF “Skupi Festival” është dhënë me një orë vonesë.

“Në shenjë solidariteti me kërkesat e Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, festivali ka zhvendosur për një orë të gjitha shfaqjet e festivalit. Falënderojmë drejtuesit e festivalit për mbështetjen e tyre ndaj kauzës sonë të drejtë”, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga Sheqerie Buçaj, kryetare e SHSATKK.

Po sipas komunikatës, nëse institucionet vendimmarrëse të kulturës nuk t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës së sindikalistëve atëherë do të ketë grevë të plotë në TKK.

“Sindikata do të vazhdojë me veprime të tjera sipas orarit të paralajmëruar deri më datën 1 nëntor kur, nëse deri atëherë s’do të ketë reflektim nga institucionet vendimmarrëse ne do të kalojmë në grevë të plotë kur do të anulohen të gjitha shfaqjet e parapara në programin e Teatrit Kombëtar të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

 

SHSATKK kërkon nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit rishikim të koeficienteve të pagave për aktorët e trupës rezidente dhe të punëtorëve, konkretisht rritje pagash për punëtorët e TKK-së.

Kërkesën për rritjen e pagave, SHSATKK e bazon në përgatitjen profesionale të trupës, shkallën e përgjegjësisë, specifikat e vendit të punës, orarin e punës dhe numrin e reprizave.

KALLXO.com kishte dërguar pyetje (17.09.2024) në MKRS lidhur me akuzat dhe kërkesat e SHSATKK-së, por nuk ka marrë përgjigje.

Revoltohen sindikalistët e Teatrit Kombëtar, kërkojnë përmirësim të kushteve dhe rritje të pagave