Paralajmërohen vërshime në disa vende të Kosovës

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga pasditja e sotme deri nesër pritet të ketë reshje shiu.

Si pasojë e këtyre reshjeve nëpër disa pjesë të Kosovës, sidomos në Pellgun e Lumit Lepenc (Brezovicë, Shtërpcë, Kaçanik, Hani Elezit, Ferizaj), pastaj pjesa jugore e Dukagjinit (rrethi i Prizrenit, Therandës, Dragashit etj.), mund të krijohen vërshime të shpejta.

“Të cilët mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Tutje, bëhet e ditur se reshjet fillimisht do të jenë në pjesën perëndimore dhe jugore, të cilat gradualisht do ta përfshinë pjesën më të madhe të vendit.

Ndërsa intensiteti dhe sasia më e madhe e tyre pritet të jetë në pjesë jugore dhe jugperëndimore të Kosovës.