Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Paralajmërohen sanksione nga BE-ja kundër Rusisë

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, do të miratojnë të martën pasdite sanksione kundër Rusisë lidhur me njohjen dhe veprimet e saj në rajonet separatiste ukrainase, tha shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell, raporton BBC.

74-vjeçari u tha gazetarëve ndonëse nuk do ta quante dislokimin e trupave të Moskës në rajonet separatiste “një pushtim të plotë”, ai theksoi se BE e konsideron rajonin si territorin e Kievit dhe tha se “trupat ruse janë në tokën ukrainase”.

Duke folur përpara një forumi ministror në Paris, Borrell tha se “përgjigja jonë do të jetë në formën e sanksioneve, masën e të cilave do të vendosin ministrat” dhe vuri në dukje se ai priste që shtetet anëtare të merrnin “një vendim unanim”.

Të dërguarit nga shtetet anëtare do të takohen të martën në mëngjes, ku zyrtarët e BE-së presin që të ketë një debat mbi fuqinë e masave që do të zbatohen, me disa vende që favorizojnë një përgjigje më të kufizuar.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Putin ka urdhëruar Ministrinë ruse të Mbrojtjes të dërgojë trupat ruse në rajonet lindore të Ukrainës, sipas një dekreti të publikuar të hënën, pasi Moska ka njohur pavarësinë e tyre.

Putin ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura, duke sfiduar paralajmërimet e Perëndimit se hapa të tillë do të jenë ilegalë dhe do të shkatërrojnë negociatat për paqe.

Përgatiti: Emirjeta Vllahiu