Ministri Rifat Latifi - foto: ZKM

Paralajmërohen masa të reja kundër COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka paralajmëruar ndryshim të masave mbrojtëse kundër COVID-19.

Sipas deklaratës së ministrit, ndryshimi i masave do të jetë në përputhje me numrin e rasteve të reja të infektimeve.

“Natyrisht se do të ketë ndryshim të masave. Masat do të jenë në proporcion me zhvillimet dhe përhapjen e rasteve. Do të jenë në balancim me nevojat e zhvillimit të fëmijëve nëpër shkolla, me mbajtjen e shkollave hapur e të ekonomisë hapur”, ka thënë Latifi.

Propozimet do të dërgohen sot në Qeveri sipas ministrit Latifi.

“Është shumë e mundshme që lokalet do të mbyllen nga ora 10 e mbrëmjes por këtë do të vendosim bashkërisht. Sot do t’i dërgojmë propozimet në Qeveri ose nesër në mëngjes”, ka deklaruar Latifi.

Gjithashtu Latifi ka thënë se është diskutuar edhe për orarin e punës në sektorin e gastronomisë, por ende nuk është vendosur.

Ministri Latifi ka bërë thirrje për vaksinim.

“Madje edhe fëmijët duhet të vaksinohen. E ata që e kanë marrë dozën e parë duhet ta marrin të dytën e kështu më radhë. Ne kemi vaksina mjaft e as nuk u ka skaduar afati, pra të gjitha i kemi në rregull, prandaj e rëndësishme është që të gjithë ne të vaksinohemi”, ka theksuar ai.

Dje ka pasur një rritje rekorde të rasteve pozitive, ku vetëm për 24 orë janë konfirmuar 2.050 mostra pozitive.

Sipas institucione të Shëndetësisë, varianti dominues në Kosovë, ditëve të fundit, është Omicroni