Fotografia e cila po qarkullon nëpër rrjetet sociale, ku shihen disa nxënës dhe një person i rritur tek sa japin përshëndetje ushtarake me flamurin e Turqisë.

Paralajmërohen masa për fotografinë e nxënësve me përshëndetje ushtarake

Rreth 15 nxënës të shkollës fillore “Motrat Qiriazi” në Prizren, ishin rreshtuar duke bërë përshëndetje ushtarake para një flamuri turk. Kjo është pamja që shihet në një fotografi të postuar në “Facebook” nga një mësues i kësaj shkolle, Selver Shantir.

Fotografia që qarkulloi të dielën mund t’i kushtojë këtij mësuesi me suspendim ose përjashtim nga vendi i punës.

Menjëherë pasi që kjo foto nxiti reagime, Drejtoria e Arsimit dhe Inspektorati i Arsimit kanë vizituar këtë shkollë në Prizren për të marrë sqarime.

Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Xhemile Thaçi- Vezgishi tha për KALLXO.com se do të veprojnë konform ligjeve.

“Pas daljes së rastit në rrjetet sociale DKA kemi marrë hapat konkret në lidhje me rastin. Pas marrjes së informatës nga drejtori dhe marrjes së deklaratës Selver Shahin si dhe në konsultim me inspektorët e arsimit, do të veprohet konform ligjeve në fuqi që i mbulon këto problematika.Për të gjitha veprimet e mëtutjeshme të cilat do t’i marrim ne si DKA do të jemi në koordinim me me Inspektoratin e Arsimit dhe zyrën ligjore dhe për çdo gjë do të njoftoheni me kohë për të gjitha veprimet që do të ndërmirren”, tha Thaçi- Vezgishi.

Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Xhemile Thaçi- Vezgishi.

Për të marrë më shumë detaje  rreth kësaj çështje, KALLXO.com ka vizituar edhe shkollën në fjalë, por se drejtori, Sedat Shkurti nuk ka pranuar të jap sqarime.

Shkolla Fillore “Motrat Qiriazi”, Prizren.

Kontakti me mësuesin në fotografi po ashtu ka qenë i pamundur.

Në lidhje me këtë fotografi ka reaguar edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës ku e kanë cilësuar si manipulim me nxënësit.

“Nxënësit shkollën e kanë vend edukimi e arsimimi, asgjë më shumë. Prandaj Këshilli i Prindërve të Kosovës, u bënë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masat që i parasheh ligji “, thuhet në reagimin e këtij Këshilli.

Në anën tjetër Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë veprimin e mësimdhënësit nga Prizreni e ka cilësuar si abuzim ndaj fëmijëve dhe ka thënë që do të marrë masa ndaj tij ditëve në vijim.

“Shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në këtë formë me fëmijët është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë. MAShT fton mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe gjithë komunitetin, që të reagojnë dhe ta paraqesin çdo rast të abuzimit me fëmijët, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbrojmë fëmijët tanë nga çdo lloj rreziku që iu kanoset”, thuhet në reagimin e MAShT-it.