Foto: Arbëreshë Kryeziu - Hyseni, Facebook

Paralajmërimi për padi, deputetja Kryeziu-Hyseni i reagon Çitakut

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu- Hyseni, ka reaguar pas paralajmërimit të Sekretares së përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku, se ndaj saj do të ngrihet padi për shpifje.

Çitaku, më 29.11.2024, ka thënë se “deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka shpifur se zyrtarët e PDK-së, Bernard Nikaj dhe ish zyrtari i PDK-së, Petrit Selimi kanë ndikuar në mos heqjen e sanksioneve nga BE-ja”.

Lidhur me ketë çështje, deputetja Kryeziu-Hyseni reagoi përmes një postimi në Facebook.

“Dy zotërinjtë e PDK-së nuk kanë reaguar për lobimin e tyre që mos t’i hiqen masat Kosovës, por paska reaguar një lobuese tjetër nga PDK, Vlora Çitaku.  Secila fytyrë që del për të folë më e pakëndshme për historinë e Kosovës. Ndoshta është e udhës të reagoj kjo që është e njohur për këso projektesh, dikur mbronte e shtynte tutje projektin e shkëmbimit territorial sot kinse demanton atë të lobimit për mosheqje të masave për Kosovën. Konsistente në projektet e veta”- është shprehur ajo.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka akuzuar dy zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), se ata kanë kërkuar që masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës të mos hiqen.

Sipas Rrustemit, kjo kërkesë është bërë për arsye të fushatës elektorale, në kohën kur po publikohej Raporti i Progresit për Kosovën.

Lidhur me ketë çështje, kryetarja e komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se takimi që përfshinte dy zyrtarët e PDK-së dhe dy zyrtarë të Bashkimit Evropian ka ndodhur në fillim të nëntorit.

Sipas Kryeziu-Hyseni dy zyrtarët e PDK-së të përfshirë në këtë kërkesë janë Bernard Nikaj dhe Petrit Selimi.

BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës verën e kaluar, me arsyetimin se nuk kishte bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës në maj të vitit 2023. Asokohe, serbët lokalë protestuan para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok kundër kryetarëve të rinj, dhe për pasojë situata u përshkallëzua në dhunë.

PDK paralajmëron “padi për shpifje” ndaj deputetes së LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni