Foto: ZKM

Paralajmërimi për një emisar nga Gjermania, Kurti thotë se e mirëpret

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se e mirëpret emërimin e një emisari të mundshëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nga Gjermania.

Kurti tha se kjo tregon për një interesim shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor e posaçërisht për Kosovën dhe raportin e saj me Serbinë.

“Ne dëshirojmë të kemi marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe e cila e definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur njohje reciproke në qendër. Emisarët që na vijnë nga perëndimi demokratik gjithmonë janë të mirëseardhur dhe kjo tregon për një interesim shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor e posaçërisht për Kosovën dhe raportin e saj me Serbinë. Unë takimet që kam, përfaqësojë qëndrimin dhe interesin e Republikës, e mbroj kushtetushmërinë, jam korrekt në të gjitha bisedimet, por natyrisht që ka gjëra nga e kaluara të cilat nuk janë në përputhje me interesin publik të qytetarëve e atë shtetëror dhe prandaj vazhdimisht me argumente të shumta e mbrojë pozicionin tonë”, u shpreh Kurti në një konferencë për media pas ngjarjes “Arritja dhe sfidat në prokurim publik në Kosovë” që u mbajt me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në Prishtinë.

Ballkani Perëndimor do të ketë katër të dërguar special nga Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në dy vitet e fundit, këto vende kanë emëruar të dërguarit e tyre, Bashkimi Evropian Mirosllav Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi, Matthew Palmer nga SHBA-ja si përfaqësues i posaçëm për reformën zgjedhore në Bosnjë dhe Hercegovinë, Gabriel Escobar po ashtu nga SHBA-ja si përfaqësues i posaçëm, dhe së fundi Stuart Peach u emërua përfaqësues special nga Britania e Madhe.