Flamuri i BE-së
Paralajmërimi për hapjen e ambasadës në Jerusalem, BE pret që Kosova të "mos e minojë perspektivën evropiane"
Bashkimi Evropian ka reaguar pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit si dhe paralajmërimit të Kosovës për ta hapur ambasadën në Jerusalem.
Në një prononcim për KALLXO.com, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme, ka thënë që qëndrimi i BE-së është që ambasadat e vendeve të BE-së të vendosen në Tel Aviv.
“Pozicioni i BE-së për vendosjen e ambasadave në Jerusalem është i qartë, pra në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të vitit 1980, e cila u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së për të zhvendosur ambasadat e tyre në Tel Aviv, të gjitha ambasadat e shteteve anëtare të BE-së si dhe delegacionin e BE-së në Izrael janë të vendosura në Tel Aviv”, tha ai.
I pyetur se cilat mund të jenë masat që BE-ja mund t’i marrë ndaj Kosovës nëse vendoset ambasada në Jerusalem dhe jo në Tel Aviv, Stano ka thënë se Kosova nuk duhet ta minojë perspektivën evropiane.
“Kosova ka identifikuar integrimin në BE si prioritet strategjik. BE pret që Kosova të veprojë në përputhje me këtë angazhim në mënyrë që perspektiva e saj evropiane të mos minohet”, ka thënë ai.
Sot Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike duke paralajmëruar edhe hapjen e ambasadës në Jerusalem.
Më 4 shtator, në Uashington, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizim ekonomik.
Marrëveshja, e cila është nënshkruar në praninë e ish- presidentit amerikan, Donald Trump, mes tjerash, thotë se Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin dhe se Serbia do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Vetëm pak ditë më vonë, më 7 shtator Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, kishte shprehur “shqetësim dhe keqardhje serioze” për këtë paralajmërim.
“Asnjë ambasadë e ndonjë vendi të BE-së nuk është në Jerusalem. As zyra e Delegacionit të BE-së në Izrael nuk është në Jerusalem. Pasi edhe Kosova, edhe Serbia janë shprehur të përkushtuara për integrimet evropiane, si qëllim strategjik, ato edhe duhet të sillen në këtë mënyrë”, pati thënë ai.
BE-ja ende e konsideron statusin e Jerusalemit si çështje rreth së cilës ka mospajtime mes shtetit të Izraelit dhe Autoritetit palestinez.
Qëkur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në vitin 2017 dhe në bazë të këtij vendimi ta bartin edhe ambasadën në Jerusalem, nga BE-ja asnjë shtet nuk e ka ndjekur një hap të tillë.
BE-ja pret që edhe nga shtetet kandidate, të cilat janë në procesin e anëtarësimit në BE, t’i përshtatin qëndrimet e veta me politikën e jashtme të BE-së.