Hekuran Murati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Paralajmërimi për grevë të punëtorëve shëndetësorë, ministri Murati përmend “sindikata të kapura”

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se greva e paralajmëruar nga punëtorët shëndetësorë është në kundërshtim me ligjin.

“Paralajmërimi i grevave që më shumë kanë synime politike sesa që brengosen për realizimin e të drejtave të personelit shëndetësor, nuk na shpie askund. Për më tepër, greva e paralajmëruar për nesër nga FSShK, nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon mbajtjen e grevave, saktësisht nenet 6, 7 dhe 15 të ligjit për grevat”, ka shkruar Murati në Facebook.

Tutje ai ka shtuar se Federata Sindikale e Shëndetësisë ka pranuar 3 milionë euro në emër të kontributeve për personelin shëndetësor, ndërsa ka shtuar se dyshon nëse mjekët janë njoftuar ndonjëherë se ku kanë shkuar këto para.

“Ata që paralajmërojnë greva nuk humbin. Përkundrazi, në 5 vitet e fundit FSSHK ka pranuar mbi 3 milionë euro në emër të kontributeve që u janë ndalur nga paga personelit shëndetësor dhe u janë transferuar FSSHK-së. Dyshoj se ndonjëherë personeli shëndetësor janë njoftuar se ku kanë shkuar këto para. Dhe krahas përfitimeve financiare, ata shtyjnë përpara edhe axhenda politike siç kishin bërë në vazhdimësi me partitë e pushteteve të kaluara kur në kohë fushate nënshkruanin “marrëveshje” të cilat kurrë nuk i zbatuan. Zaten, nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura”, ka përfunduar Murati.