Paralajmërimi për dorëheqje i kryesuesit të KD të UP-së ngrit dyshime ndaj Rektoratit

Një paralajmërim për dorëheqje nga kryesuesi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ujkan Bajra, ka nxitur përplasje mes tij dhe Rektoratit të UP-së.

Ky paralajmërim për dorëheqje u morë nga një konotacion tjetër nga ana e Rektoratit, pasi që sipas tyre, Bajra po synon që të bëhet profesor asistent në këtë universitet.

Bajra, tre vite më parë kishte aplikuar për këtë pozitë në Fakultetin Ekonomik, mirëpo komisioni vlerësues i këtij fakulteti nuk e kishte rekomanduar dhe ai i ishte drejtuar me ankesë Inspektoratit të Punës.

Pas kësaj, Inspektorati i Punës në vitin 2019 kishte marrë vendim që Fakulteti ta trajtojë edhe njëherë rastin e Bajrës, por Rektorati i UP-së po konsideron që trajtimi i kësaj lënde përbën konflikt të interesit.

“Ju njoftojmë se, Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” konsideron se ekziston dyshimi i bazuar që trajtimi i lëndës së Ujkan Bajra, në fazën deri sa i njëjti ndodhet në pozitën e kryesuesit të Këshillit Drejtues të UP-së, përbën konflikt interesi”, ka bërë të ditur Rektorati përmes një përgjigje me shkrim për KALLXO.com.

Sipas Rektoratit të UP-së edhe trajtimi i rastit të Bajrës pas 3 vitesh bie ndesh me rregulloren e Senatit.

“Kërkesa për trajtim të kësaj lënde pas gati 3 vitesh (Konkursi përkatës është shpallur më 27/04/2018) bie ndesh me Rregulloren e Senatit lidhur me procedurat e emërimit të personelit akademik, e cila specifikon se në rast që për pozitën e caktuar të shpallur në Konkurs nuk është marrë vendim përkatës brenda 175 ditësh, pozita mund të rishpallet me kërkesë të Fakultetit”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Tutje, ata kanë thënë se për të marrë opinion ligjor lidhur me këtë çështje, Rektorati e ka dërguar këtë rast në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në anën tjetër, kryesuesi i Këshillit Drejtues të Universitetit, Ujkan Bajra, ka bërë të ditur për KALLXO.com se nuk ka kërkuar që lënda e tij të trajtohet, veçse ka paralajmëruar dorëheqjen e tij.

“’Unë s’kam kërkuar që të shqyrtohet lënda ime, unë kam dërguar një email dhe kam paralajmëruar dorëheqjen”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Por, për Rektoratin e UP-së, Bajra është dashur të japë dorëheqje në momentin që Inspektorati i Punës ka vendosur në favor të tij.

“Ne e kemi njoftuar z.Bajra që i njëjti për t’i ikur konfliktit të interesit është dashur të jap dorëheqje në momentin kur ka kuptuar që lënda e tij është duke u trajtuar në Fakultetin Ekonomik, ose duhet të deponoj në Rektorat një dëshmi me të cilën kërkon që rasti i tij mos të trajtohet deri sa është duke mbajtur pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së”, thuhet më tej në përgjigjen e Rektoratit për KALLXO.com.

Kurse, ditë më parë, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim(ORCA), ka reaguar në lidhje më këtë çështje, pasi që sipas tyre, Bajra po mundohet që rastin e tij të mospranimit si profesor në UP në vitin 2018, përmes një vendimi të Inspektoratit të Punës, ta vë në zbatim tani.

Mirëpo, Bajra për KALLXO.com, e kishte mohuar një gjë të tillë.

ORCA akuzon Ujkan Bajrën për kompremetim të procesit të avancimeve, ai e mohon këtë

Bajra është për të dytën herë në Këshillin Drejtues të UP-së, pasi që në herën e parë u shkarkua nga ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami dhe u emërua përsëri me vendim të ministrit në detyrë të Arsimit, Ramë Likaj.

Këshilli Drejtues i Universitetit është organi kryesor qeverisës i Universitetit.

Ai  ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.

Këshilli Drejtues, kolektivisht, i raporton Ministrisë dhe është përgjegjës për shfrytëzimin e duhur e në mënyrë efektive të fondeve që Ministria ose ndonjë burim tjetër publik ia ka ndarë Universitetit.