Rektori i ri i UP-së, Arben Hajrullahu, Foto: KALLXO.com

Paralajmërimi për bojkotim të mësimit nga studentët e UP-së, rektori Hajrullahu iu përgjigj Parlamentit Studentor

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, i është përgjigjur Parlamentit Studentor të UP-së për korrigjimin që ia kërkoi në lidhje me vendimin që rektori ka marrë më 06.11.2024 për kërkesën e tyre për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve – afatin e nëntorit dhe prillit.

Një dokument që këshilltari për media i rektorit Hajrullahu, Bekim Muhaxheri, ka ndarë me KALLXO.com, përmban përgjigjen që, sipas tij, rektori ia ka drejtuar Parlamentit Studentor të UP-së.

Sipas përgjigjes së rektorit Hajrullahu, Senati i UP-së në mbledhjen e mbajtur më 30.10 2024 ka aprovuar kërkesën e shtruar nga senatorja e Parlamentit Studentor në Senatin e UP-së, që të diskutohet si pikë e rendit të ditës kërkesa për mbajtjen e afatit të provimeve të nëntorit.

Hajrullahu tha se pas mbledhjes së komisionit për vlerësim të vazhdueshëm të studentëve, më 08.11.2024, studentët e kanë braktisur mbledhjen dhe siç tha ai, brenda pak sekondave kanë njoftuar për protestë të martën, më 12.11.2024.

Në anën tjetër, Parlamenti Studentor i UP-së u bëri thirrje studentëve të UP-së që ta bojkotojnë mësimin, pasi janë të pakënaqur me vendimin e rektorit Hajrullahu për emërimin e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës që kanë parashtruar për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve, të cilin thanë se e kanë pranuar sot, më 06.11.2024.

“Pas shterjes së diskutimeve në këtë pikë, Senati i Universitetit të Prishtinës ka nxjerrë vendim për formimin e Komisionit të përkohshëm për çështjen e vlerësimit të vazhdueshëm të studentëve, sipas nenit 114 të Statutit të UP-së dhe për kërkesën e ngritur nga Parlamenti i Studentëve për afat shtesë për provime” – thuhet në përgjigjen e rektorit Hajrullahu më 06.11.2024.

Hajrullahu i ka thënë Parlamentit Studentor të UP-së se komisioni i përkohshëm për çështjen e vlerësimit të vazhdueshëm të studentëve u emërua dhe votua nga Senati i UP-së, në përbërje nga prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime – Naim Jerliu, prodekanët për çështje mësimore të të gjitha fakulteteve të UP-së, katër përfaqësuesit nga radhët e studentëve dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të UP-së, Besnik Loxha.

Ndërkaq, mbledhja e parë e këtij komisioni të formuar për vlerësim të vazhdueshëm të studentëve do të mbahet më 08.11.2024, në ora 11:00.

E për korrigjimin e pikës së vendimit të rektorit të datës 06.11.2024, të cilin e kërkuan nga Parlamenti Studentor, që të bëhet nga “një afat shtesë” në “diskutimet mbi afatet shtesë (afati i nëntorit dhe i prillit), Hajrullahu i ka ftuar që të shkojnë në Rektorat e t’i dëgjojnë incizimet e mbledhjes së Senatit të UP-së, të datës 30.10.2024.

“Ju ftojmë që të vini në Rektorat [të UP-së] dhe t’i dëgjoni incizimet e mbledhjes së Senatit, mbajtur me datë 30.10.2024. Siç kemi diskutuar në takimin tonë të mëhershëm dhe në mbledhjen e Senatit, jemi të hapur për të diskutuar gjerësisht këtë çështje dhe çdo brengë tjetër që mund ta keni” – ka theksuar Hajrullahu.

Ndonëse, KALLXO.com e ka pyetur UP-në më 06.11.2024 për thirrjen e Parlamentit Studentor që studentët ta bojkotojnë mësimin, Universiteti nuk ka kthyer përgjigje por vetëm ka ndarë përgjigjen e rektorit Hajrullahu drejtuar Parlamentit Studentor, e cila thotë se i ka shkuar gjithë stafit akademik, Senatit e Këshillit Drejtues të UP-së.

Përmes një njoftimi në Facebook, Parlamenti Studentor i UP-së ka publikuar një kërkesë të datës 06.11.2024, të cilën e kanë adresuar në Rektorat të UP-së, e në të cilën kanë renditur arsyet e tyre për mbajtjen e provimeve shtesë – afatin e nëntorit dhe prillit.

Për dallim nga vitet e tjera akademike kur janë mbajtur afatet shtesë të provimeve, në Statutin e ri të UP-së, mbajtja e afateve shtesë të provimeve nuk përmendet.

Nga Parlamenti Studentor i UP-së pretendojnë se në vendimin e rektorit Hajrullahu për kërkesën e tyre që të mbahen afatet shtesë është përmendur kërkesa vetëm për një afat shtesë.

Me këtë rast, ata kanë përmendur edhe diskutimin, i cili u bë në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 30.10.2024 për kërkesën e tyre që të mbahen afatet shtesë të provimeve.

“Shprehim shqetësimet tona lidhur me ndryshimin e pikës mbi afatet shtesë të votuara në mbledhjen e kaluar të Senatit me datë 30.10.2024. Votimi ka qenë për kërkesën për afatet shtesë dhe jo sikur në vendimin që pranuam sot ku Rektori emëroi Komisionin për çështjen e vlerësimit të vazhdueshëm dhe kërkesën për një afat shtesë. Ne si Parlament Studentor në mënyrë kategorike kundërshtojmë këtë vendim” – thuhet në njoftimin e Parlamentit Studentor të UP-së më 06.11.2024.

“Andaj, Parlamenti Studentor ju bënë thirrje për bojkot të mësimit të gjithë studentëve deri në korrigjim të pikës së lartcekur, në rast se nuk pranojmë përgjigje për këtë cështje deri në mbledhjen e Komisionit (ditë e Premte, 8 nëntor), java e ardhshme do të na gjejë me protesta masovike në hapësirat e UP-së!” – ka paralajmëruar Parlamenti Studentor.