Foto: REL

Paralajmërimi i Listës Serbe: Nëse nuk lironi të arrestuarin do të ketë kryengritje të përgjithshme

Lista Serbe mbrëmë ka reaguar duke e quajtur arrestimin e të dyshuarit për djegien e veturave dhe sulmin ndaj zyrtarëve policorë, kidnapim ndërsa ka kërkuar lirimin e të njëjtit në të kundërtën kanë paralajmëruar kryengritje të përgjithshme.

Deri te ky reagim erdhi arrestimi i një të dyshuari me inicialet M. B.,  për djegien e veturave në Zubin Potok e edhe për sulm ndaj zyrtarëve policorë në veri të Mitrovicës.

Njoftimin për këtë arrestim e ka bërë Policia e Kosovës deri sa ka thënë se kanë punuar intensivisht në zbardhjen e disa rasteve që lidhen me sulmet ndaj policisë e djegien e veturave në veri të Mitrovicës të qytetarëve serb që kishin regjistruar veturat me targa RKS.

Lista Serbe në një njoftim zyrtar në rrjetin social Facebook, e ka quajtur arrestimin kidnapim deri sa ka kërkuar që të mos ngacmohen serbët që jetojnë në veri të Mitrovicës pasi po provokohet edhe reagimi i tyre.

Gjithashtu në fund të njoftimit shkruhet qartë se nuk do të jetë paralajmërim por nëse nuk lirohet i dyshuari i arrestuar nga Policia e Kosovës, do të ketë kryengritje të përgjithshme.

Policia e Kosovës, gjatë ditës së djeshme ka thënë se në vazhdën e luftës kundër krimit të organizuar, parandalimit të veprave kriminale dhe arrestimit të kryerësve të veprave penale, ka arrestuar një person të dyshuar, i cili kërkohej mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në disa vepra penale.

Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intenzive të kryera nga njësitet relevante policore.

Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar dyshohej për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njesisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit.

Lidhur me këtë rast kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

I njejti, gjithashtu është i dyshuar  edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës.