Paralajmërimi i Kurtit: Kosova në finalizim të njohjeve të ndërsjella të patentë-shoferëve me Kanadanë dhe Turqinë

Nga muaji janar 2025 hyri në fuqi Marrëveshja me Italinë për njohjen e patentë-shoferëve të Kosovës nga ky shtet. Kurse, nga muaji mars pritet të hyjë në fuqi një Marrëveshje e njëjtë edhe me Austrinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paralajmëroi ndërkohë se janë në përfundim të bisedimeve që patentë-shoferët kosovarë të njihen edhe në Kanada dhe Turqi.

“Jemi në finalizim të njohjes së ndërsjelltë të patentë-shoferëve me Kanadanë dhe Turqinë.” – tha ai gjatë mbledhjes së Qeverisë, më 26.02.2025.

Kurti tha, po ashtu, se që nga prilli 2023, prej kur Gjermania njohu patentë-shoferët e Kosovës, rreth 30,000 bashkëatdhëtarë kanë konvertuar patentë-shoferët.

Nga 01.03.2025 shtetasit e Kosovës dhe të Shqipërisë të cilët jetojnë në Austri nuk do të kenë më nevojë që t’i nënshtrohen provimit praktik për konvertimin e patentë-shoferit.

“Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët kanë një patentë-shofer, të vlefshme të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës, nuk kanë më nevojë të japin provim praktik për konvertimin e saj në një patentë austriake.” – shkruante në njoftimin e Ambasadës, më 14.02.2025.

Ambasada kishte treguar se kështu janë njoftuar nga autoritetet, pasi nga 01.03.2025 hyn në fuqi ndryshimi i Rregullores zbatuese të Ligjit të Patentë-shoferëve në Austri.

Ky lehtësim vlen për të gjitha kategoritë e patentë-shoferëve, të lëshuar në Republikën e Kosovës.

Ky proces kishte filluar në shkurt të vitit 2022 pati njoftuar ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla.

Një gjë e tillë ka ndodhur para pak javësh edhe nga Italia.

Nga 29.01.2025, qytetarëve të Kosovës dhe atyre italianë u ka filluar njohja e patentë-shoferëve në të dyja shtetetkishte bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

Sipas njoftimit, kjo Marrëveshje u mundëson qytetarëve “të bëjnë konvertimin e dokumenteve pa pasur nevojë t’u nënshtrohen procedurave shtesë: as nga pjesa teorike, as nga pjesa praktike”.

“Zbatimi i kësaj Marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të qytetarëve të Kosovës, të cilët jetojnë në Republikën e Italisë.” – kishte shkruar MPB-ja, në njoftim.

Në dhjetor të vitit 2024, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte bërë të ditur se kanë nënshkruar Marrëveshje me Kroacinë për njohjen e ndërsjellë të patentë-shoferëve.

Ndërkaq, në vitin 2022, Ministria kishte bërë të ditur se pas njohjes së patentë-shoferëve nga Gjermania janë në proces të arritjes së Marrëveshjeve me Kanadanë, Turqinë e Austrinë.