Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt

Paralajmërimi gjerman: Nëse vazhdohet me noterët, aktet nuk do njihen

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt është pajtuar me Zyrën e BE-së në Kosovë lidhur me kërkesën për mos emërimin e noterëve.

Sot gjatë ditës Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë reagoi mbi procesin e zgjedhjes së noterëve të rinj. Sipas zyrës së BE-së në Kosovë, ky proces duhet të kthehet në pikën zero.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve në largim të Kosovës që të përmbahen nga emërimet e ndonjë noteri pasi besojmë fuqimisht se vendimi në këtë drejtim duhet t’i lihet qeverisë së re”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra e Bashkimit Evropian.

E pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt.

Ai nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Twitter” ka kërkuar që të merren seriozisht rekomandimet e zyrës së BE-së në Kosovë.

“BE ka nxjerrë një deklaratë duke paralajmëruar për emërimet e nxituara të noterëve sot, e ndjekur nga deklarata e Ministrit të Drejtësisë në Kosovë, duke thënë se ai do të shkojë përpara me procesin  gjithsesi. Unë rekomandoj fuqishëm marrjen seriozisht të shqetësimeve të shprehura: Njerëzit këtu nuk shërbehen nëse aktet noteriale nuk njihen jashtë vendit”, thuhet në reagimin e Ambasadorit Gjerman.

Ndërsa, vetë ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë sot gjatë ditës së procesi për rekrutimin e noterëve të rinj është legjitim dhe duhet të ndodhë.

“Ky postulat i domosdoshëm, nuk është subjekt i ujdive politike të askujt dhe të asgjëje. Nuk ka asnjë garanci, as nevojë dhe as arsye që një proces i tillë i nisur dhe realizuar në mënyrë legjitime, të lihet anash e të mos marrë epilog, së paku për ato raste që janë emergjente. Për njohuri të opinionit publik, dëshiroj të sqaroj se ky proces do të marrë epilog legjitim në harmoni të plotë me ligjin dhe në partneritet të plotë me Oden e Noterëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

Por, me këto qëndrime nuk është pajtuar anëtarja e partisë Lëvizja vetëvendosje, Albulena Haxhiu. Ajo në një bisedë për KALLXO.com ka kërkuar që procesi për noterët e rinj të kthehet në pikën zero.

VV kërkon kthimin e procesit për noterët e rinj në pikën ‘zero’

www.kallxo.com