Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

Paraburgosen dy të dyshuar për trafikim me njerëz dhe prostitucion

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy të dyshuarve me inicialet N.M. dhe A.M, për trafikim me njerëz.

Sipas njoftimit të Gjykatës, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Mustaf Tahiri, ka vërtetuar faktin se të pandehurit nga muaji tetor 2020, në një lokal në Shtime, kanë marrë pjesë në trafikimin e njerëzve përmes rekrutimit, transportimit, strehimit të viktimave, të 6 femrave, njëra prej tyre e mitur.

“Të cilat i kanë të punësuara si kamariere në këtë lokal, në atë mënyrë që të njëjtat i shfrytëzojnë me qëllim të prostitucionit, duke i joshur klientët dhe shoqëruar të njëjtit nëpër tavolina të lokalit, e më pas duke bërë marrëveshje me ta që të kryejnë marrëdhënie seksuale në këmbim të parave në shuma të ndryshme, e të cilat para më pas të pandehurit i përvetësojnë për vete”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata bën të ditur se i pandehuri N.M. ka pasur kontakt me të dëmtuarën E.A., duke e marrë me veturë nga shtëpia dhe duke e transportuar në Shtime në një banesë, ndërsa i pandehuri tjetër A.M., ka transportuar, rekrutuar dhe strehuar tre femra të tjera të mitura, në lokal në të cilin edhe kanë bërë marrëveshje me klientë të tjerë për të kryer marrëdhënie seksuale me pagesë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.