Foto-ilustrim

Paraburgimet e pabaza, Kosova pagoi mbi 4 milionë euro

Një person mund të paraburgoset vetëm me urdhër të gjykatës dhe kjo vetëm pas një seance gjyqësore ku palët ballafaqojnë argumentet e tyre. Sipas ligjit, nëse vërtetohet që paraburgimi është caktuar gabimisht atëherë gjykata do ta kompensojë dëmin tek personi i paraburgosur.

Të dhënat e siguruara tregojnë që nga viti 2004 deri më tani nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar hiq më pak se 4 milionë euro për të kompensuar qyetarët që janë paraburgosur. Sipas këtyre të dhënave, vetëm gjatë vitit 2020 janë kompensuar 95 persona me rreth 200 mijë euro.   

Një rast i njohur medial ku pala e dëmtuar ka kërkuar kompensim material ka qenë rasti i ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili pas qëndrimit 4 vjet e një muaj në burg ka kërkuar 1.4 milionë euro kompensim nga komisioni i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ndaj Lushtakut ishte ngritur aktakuzë në vitin 2013 për krime lufte ndaj popullatës civile ndërsa ai ishte shpallur i pafajshëm në fund të procesit, pas një kohe të gjatë në paraburgim. Kërkesa për kompensim është parashtruar nga avokati Lushtakut, Arianit Koci, më 20 nëntor 2018 ndërsa ende nuk është përfunduar procedura e kompensimit.

Avokati Avdi Dinaj ka thënë se procedura e kompensimit të dëmit pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës është e shkurtër dhe realizohet brenda 1 deri në 2 muaj, por në rast të mospranimit të shumës atëherë duhet të shkohet me padi në gjykatë e që sipas avokatit kjo procedurë merr kohë ndonjëherë edhe vite. 

Procedurën e kërkesës për kompensim të dëmit e përcakton Kodi i Procedurës Penale.

Pala e cila i plotëson kushtet në bazë të Kodit të Procedurës Penale përkatësisht nenit, 525-529, mund të ushtrojë kërkesë për kompensim dëmi vet, ose përmes përfaqësuesit të autorizuar ligjor/avokatit në objektin e Sekretariatit të KGjK-së, ose përmes postës. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka të formuar komisioni për kompensimin e dëmit për personat e dënuar, ose arrestuar pa arsye.

Ky komision ka kompetencë të shqyrtojë si dhe të lidhë marrëveshje jashtëgjyqësore me personat të cilët kanë ushtruar kërkesa për kompensim dëmi për personat e dënuar, ose arrestuar pa arsye.

Komisioni për kompensimin e dëmit për personat e dënuar, ose arrestuar pa arsye përbëhet prej tre anëtarëve, si dhe dy anëtarëve rezervë.

Ky artikull u mundësua në kuadër të projektit “Sektori i Drejtësisë në Kosovë – i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent”, i realizuar nga Internews Kosova, Lëvizja FOL dhe Debate Center në mbështetje të Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).