Ilustrim

Paraburgim të dyshuarve për tentim vrasje dhe pjesëmarrje në rrahje

Gjykata e Prizrenit në bazë të kërkesës së Prokurorisë i ka caktuar paraburgim 1 mujor tre të dyshuarve për pjesëmarrje në rrahje dhe tentimvrasje.

Sipas Prokurorisë, F.K. dyshohet se me datë 4 mars në orët e pasdites në Dragash, tenton ta vrasë të dëmtuarin A.R., dhe vë në rrezik jetën e të dëmtuarit M.M.

Kjo pasi pas një mosmarrëveshje dhe rrahje paraprake e nxjerr pistoletën zyrtare e markës ,”Glock” të cal. 9×19 mm. dhe shkrep një herë nga një distancë në drejtim të të dëmtuarve,

Ndërkaq, B.A dhe E.R, dyshohet se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje e cila ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor të A.R., dhe M.M., sipas raporteve mjekësore të Qendrës Emergjente në Prizren.

Gjyqtarja e procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, ngase të pandehurit me qëndrimin në liri mund të fshihen apo të jepen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, duke marrë parasysh faktin se pas kryerjes së veprave penale prezenca e tyre në këtë procedurë është siguruar në mënyrë të dhunshme nga ana e zyrtarëve të policisë.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.