Paraburgim të dyshuarve për grabitjen e bankës në Shtime

Gjykata e Ferizajt ka caktuar 30 ditë paraburgim për K.H dhe A.L, të dyshuar pr grabitje

Të pandehurit dyshohen se më 2 shtator 2019, në filialin e bankës Raiffaisen në Shtime, paraprakisht kanë përgatitur planin për kryerjen e kësaj vepre duke i ndarë rolet dhe duke vepruar si anëtar të grupit të pajisur me armë gjysmë automatike.

Sipas aktakuzës, të maskuar së bashku me dy persona të tjerë të paidentifikuar, kanë hyrë në Raiffaisen Bank dhe nën kërcënimin e armës kanë detyruar punëtorët t’u dorëzojnë parat, me ç’rast kanë marrë rreth 2 mijë e 540 euro dhe 290 franga, ndërsa në dalje të bankës disa herë kanë gjuajtur me armë dhe kanë ikur në drejtim të fshatit Jezerc, ku kanë djegur veturën kombi me qëllim të zhdukjes së provave.

Andaj gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të rënda, Sahit Krasniqi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar

Palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.