Gjetja e veturës së Bedri Rexhepit, e braktisur në fshatin Shushicë të Komunës së Lipjanit, Foto: KALLXO.com

Paraburgim të dyshuarit që u prezantua si agjent i CIA-së familjes së të zhdukurit Bedri Rexhepit

Gjykata në Prishtinë i ka caktuar paraburgim të dyshuarit që ju paraqit si agjent i CIA-së, familjes së biznesmenit të zhdukur Bedri Rexhepi, duke paraqitur fakte të rreme që mund të dërgojë në gjetjen e tij.

Sipas dosjes së Prokurorisë, personi me iniciale S.G nën dyshohet se ka kryer veprat penale, ‘Mashtrimi’, ‘Shantazhi’, ‘Prezantimi i rremë si person zyrtar’, ‘Falsifikimi i dokumentit’ dhe ‘Manipulimi me prova’.

Sipas dosjes së Prokurorisë, S.G dyshohet se më datë 30 korrik 2021, në Hib Petrol në Prishtinë, i ka vënë në lajthim familjarët e të dëmtuarit Bedri Rexhepi i cili është i zhdukur, duke paraqitur fakte të rreme kinse për gjetjen e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, S.G ka kontaktuar përmes mesengjerit vëllain e Bedri Rexhepit, duke u prezantuar si agjent i CIA-s Amerikane, është aranzhuar një takim në mes tyre ku është prezantuar me emrin Ardian O’Neil Bajraktari, duke ja prezantuar një ID kartelë të falsifikuar në shpejtësi, duke i thënë së është i gatshëm ta gjejë vëllain dhe ka kërkuar që komunikimi të bëhet përmes emalit [email protected].

Prokuroria pretendon se pas shkëmbimit të disa emaileve i dyshuari i ka thënë të dëmtuarit V.R. se ka komunikuar me autoritetet në Serbi dhe ka kuptuar se vëllai i tij i zhdukur gjendet në burgun e Nishit në Serbi dhe për ta nxjerrë prej aty, fillimisht i nevojiten 3000 deri 4000 euro dhe me qëllim që ta bind V.R., i njëjti ja ka dërguar disa emaile në gjuhën serbe dhe angleze se kinse e ka konfirmuar nga zyrtarët e Serbisë ku këtë komunikim ja ka përcjell tani të dëmtuarit V.R. duke cekur se këtë komunikim e ka kthyer qeveria e Serbisë në emër të Milorad Petkoviq, ku më pas e kanë lënë të takohen më datë 2 gusht 2021, për t’i marrë paratë te Hib Petroli afër stacionit të autobusëve dhe aty është arritur të ndalohet dhe arrestohet nga Policia e Kosovës.

Ndaj këtij vendimi, i dyshuari mund të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Bedri Rexhepi është zhdukur që që nga data 8 prill 2021 dhe ende nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Emisioni Kallxo Përnime kishte intervistuar familjarët e Bedri Rexhepit, të cilët kishin treguar për lëvizjet e fundit të tij para se ai të zhdukej.

Zhdukja e biznesmenit nga Prishtina, familja dyshon te klienti i tij