Paraburgim për të dyshuarin që sulmoi kushërirën, i vrau burrin dhe i plagosi djalin

30 ditë paraburgim i janë caktuar Col Imerajt nga fshati Geghysen nga Tropoja e Shqipërisë, i cili u arrestua si i dyshuar për vrasjen e djeshme në Bardhaniq të Gjakovës.

Prokuroria kërkoi paraburgim për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer vrasje të rëndë dhe dy vepra të vrasjes në tentativë.

Një 60 vjeçar, Ndou Mulaj, nga Bardhaniqi i Gjakovës është vrarë dje në mëngjes në shtëpi, ku ishte duke fjetur me gruan e tij.

Përveç viktimës, i pandehuri ka plagosur gruan Diturie dhe djalin e saj Mark Mulaj, për motive të cilat ende nuk dihen.

24 vjeçari, Col Imeraj është kushëri i gruas së viktimës, që nënkupton se i njëjti ishte në lidhje familjare me familjen Mulaj.

Në bazë të kërkesës së Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, thuhet se i pandehuri kishte hyrë me forcë në dhomën e çiftit Mulaj, duke përdorur një thikë të kuzhinës dhe një çekan hekuri.

“I pandehuri me dashje dhe në mënyrë mizore, merr një thikë dhe çekan, then derën e dhomës dhe së pari e godet disa herë me thikë të dëmtuarën Diturie. Pasi viktima Ndou kishte parë këtë situatë, ai kishte dalë nga dhoma, mirëpo i pandehuri Col Imeraj në korridor të shtëpisë e kishte goditur disa herë në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, duke I shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Më pas, i pandehuri Col shkon në dhomën tjetër ku ishte duke fjetur i dëmtuari Mark Mulaj dhe me thikë i shkakton lëndime të rënda trupore në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes”- thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Prokuroria thotë se në dhomën e të dëmtuarit Mark Mulaj ishte duke fjetur edhe vëllai i tij i mitur D.M, i cili kishte qenë dëshmitar i ngjarjes.

Sipas Prokurorisë, si pasojë e lëndimeve të marra, e dëmtuara Diturie Mulaj ishte dërguar menjëherë në spitalin regjional “Isa Grezda” në Gjakovë, ndërsa i dëmtuari tjetër Mark Mulaj ishte dërguar në QKUK në Prishtinë.

Në seancën e sotme, prokurori i rastit Ali Uka, kërkoi nga gjykata që t’i caktohet paraburgimi, sepse ekziston rreziku që i njëjti të arratiset nga Kosova dhe të ndikoj tek dëshmitarët apo të dëmtuarit e rastit, gjë që do të pengonte rrjedhën normale të procedurës penale.

Mirëpo, mbrojtësi i të pandehurit Col Imeraj, avokati Meshari Selimaj nuk u pajtua me kualifikimin juridik nga ana e Prokurorisë si “vrasje e rëndë”, duke qenë që motivi është ende i panjohur.

“Edhe pse vështirë, por hetimet mund të vazhdojnë edhe përmes një shume të dorëzanisë, meqenëse i pandehuri është shtetas i Republikës së Shqipërisë”- tha avokati Meshari Selimaj.

Ndërsa i pandehuri Col Imeraj, tha se nga Shqipëria në Kosovë kishte ardhur për tu shëruar, sepse kishte probleme me veshka.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme lidhur me këtë tragjedi.

Tragjedi në Gjakovë: Dyshime se familjari nga dajallarët e plagosi nipin dhe i vrau babain