Prapa grilave - Ilustrim

Paraburgim për të dyshuarin që kafshoi babanë dhe vëllain e tij

Gjykata e Prizrenit ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit A. L., i cili dyshohet për dhunë në familje.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A. L., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase.

Sipas provave të mbledhura deri në këtë fazë ekziston dyshimi se i pandehuri, me datë 20 prill, në orët e hershme të mëngjesit, në Prizren, në  banesën e tij ka kryer dhunë ndaj babit dhe vëllait të tij, pasi këta të fundit kanë qenë duke i dhënë terapinë mjekësore.

Pas kësaj, ai dyshohet se në mënyrë agresive dhe me zë të lartë i drejtohet atyre dhe i sulmon fizikisht duke i goditur me grushte si dhe duke i kafshuar me dhëmbë.

Përpos së masës së caktimit të paraburgimit, gjyqtari i procedurës, gjithashtu ka lëshuar urdhëresë për ekzaminim psikiatrik për të pandehurin A. L. për të vërtetuar se në çfarë gjendje psikike mendore ka qenë gjatë kësaj kohe që pretendohet se e ka kryer veprën.