Foto-ilustrim

Paraburgim për të dyshuarin për falsifikim të parave

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.K., i dyshuar për veprën penale – falsifikimi i parave.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit e ka aprovuar si të bazuar.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri më 23 janar, në Shtime, ka vënë në qarkullim para të falsifikuara si të vërteta edhe pse e ka ditur se janë të falsifikuara.

“E.K.,ka pranuar 2.500 dollarë nga një person tani i panjohur, me të cilin janë marrë vesh që t’i këmbejë në euro për një shpërblim prej 100 euro, pastaj me këtë person kanë ardhur me veturë deri në Shtime, me ç’rast i pandehuri ka hyrë në lokalin “Aral Këmbimore”, e cila gjendet në objektin e pikës së karburantit me të njëjtin emër, ku ka dorëzuar 50 bankënota në vlerë me nga 50 dollarë amerikanë të falsifikuara, për t’i këmbyer në euro, me ç’rast i dëmtuari J.R. i ka dhënë 2,037 euro, e pastaj është larguar në drejtim të panjohur”, përfundon njoftimin e saj Gjykata.