Paraburgim për të dyshuarin për aksidentin që i mori jetën të miturës në Pejë

Dy ditë më parë, vozitësi E.G në Pejë, nga pakujdesia ka shkaktuar një aksident fatal trafiku, ku si pasojë një vajzë e mitur ka vdekur, teksa po ngiste biçikletën.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Pejë personit në fjalë, i ka caktuar një muaj paraburgim.

Gjykata njofton se me 26 gusht 2019, në rrugën “Raushiq – Baran”, në udhëkryq, nga pakujdesia, i dyshuari ka shkaktuar aksident trafiku me pasoja fatale ndaj këmbësores – të miturës A.B.

Sipas Gjykatës Themelore në Pejë, i pandehuri po qarkullonte me automjetin e tij, me të arritur në vendin e lartcekur duke mos iu përshtatur shpejtësisë dhe kushteve të rrugës, me të vërejtur biçikletën tenton t’i shmanget aksidentit duke devijuar në të majtë ku me pjesën e parë ballore të veturës e godet biçikletën të cilën e drejtonte tani e ndjera A.B dhe e bart disa metra, e si pasojë e lëndimeve e aksidentuara vdes në Spitalin Rajonal të Pejës.

“Me këto veprime i pandehurit dyshohet se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik. Të pandehurit E.G i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, thuhet në komunikatë.