Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Paraburgim për prizrenasin i cili u kap me drogë e armë

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit F. A., nën dyshimet për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike, dhe për veprën armëmbajtje pa leje.

Sipas njoftimit të Gjykatës paraburgimi ndaj të pandehurit F. A., është caktuar pasi që i njëjti, para dy ditëve, në orët e pasdites, derisa ishte duke drejtuar automjetin me të parë se është duke u ndjekur nga policia, është vërejtur se pasagjeri që ishte ulur para ka hedhur një qese me substancë të dyshuar si marihuanë.

Paoshtu, gjatë kontrollimit të automjetit i është gjetur një pako e vendosur nën kapakun e frenit të dorës.

Gjykata në Prizren ka bërë të ditur se pas bastisjes së zhvilluar në shtëpinë e të pandehurit, janë gjetur qese plastike të mbushura me substancë të dyshuar për narkotikë të llojit marihuan me peshë 2.21 gramë, dhe 0.62 gramë, një mbështjellëse letre me dy qese të najlonit dhe tre pjesë të substancave narkotike me peshë 2.60 gramë, si dhe tre qese najloni me peshë prej 3.60 gramë, të vendosur në një kuti cigare dhe një pako.

Poashtu gjatë bastisjes në shtëpinë e të pandehur është gjetur se i njëjti mbanë në pronësi një pistoletë, një karikator me tre fishekë, një pistoletë me gaz, tre fishekë, dy thika, një shufër gome si dhe një boks metali.

Sipas njoftimit, i pandehuri është i regjistruar edhe si i dyshuar për vepra penale të kësaj natyre që lidhen me substanca narkotike , prandaj në këto rrethana tregohet rreziku që i pandehuri të lihet në liri.