Foto: KALLXO.com Ilustrim

Paraburgim për prizrenasin e dyshuar për sulm seksual ndaj një gruaje dhe sulm me thikë ndaj djalit të saj

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.B., i cili po dyshohet për sulm seksual.

Sipas njoftimit, të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

“Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuar me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, dhe se hetimet janë në fazën fillestare, gjithashtu në vijim të procedurës duhet të dëgjohet i pandehuri, të dëmtuarit, po ashtu ende nuk janë identifikuar dhe marrë deklarimet e dëshmitarëve që kanë qenë prezent në momentin kritik”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka bërë të ditur se sipas provave materiale i pandehur A.B. gjatë ditës së djeshme, rreth orës 18:30, në Prizren, derisa e dëmtuara me djalin e saj ishte duke mbledhur kanaqe, i pandehuri A.B. nën ndikimin e alkoolit i është afruar dhe e ka përqafuar.

Viktima e këtij rasti e ka shtyrë të pandehurin dhe ka filluar të bërtasë për të kërkuar ndihmë, dhe në ndërkohë i pandehuri dyshohet se ka përdorur thikën dhe ka sulmuar djalin e viktimës, duke e goditur në krah.

“Duke marrë parasysh karakteristikat personale të të pandehurit, i cili ka qenë nën ndikimin e alkoolit, peshën dhe natyrën e veprave penale, këto sjellje të të pandehurit e arsyetojnë dyshimin e bazuar se me qëndrimin e tij në liri, i njëjti mund të përsërisë veprat penale të natyrës së njëjtë, andaj është vlerësimi i Gjykatës se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i bazuar në ligj, dhe se do të sigurojë zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës hetimore dhe sigurimin e prezencës së të pandehurit”,  thuhet në njoftim.