Foto: Ilustrim

Paraburgim për prizrenasin, dyshohet se në gjendje të dehur sulmoi babanë e tij

Gjykata e Prizrenit ka njoftuar se ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit P. K., nën dyshimet për lëndim të lehtë trupor.

Sipas njoftimit, i pandehuri mbrëmë pas mesnate, i ka shkaktuar lëndime babait të tij, pasi që pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme, i pandehuri nën ndikim të alkoolit, ka shkuar në shtëpi dhe ka filluar të ofendoj babanë e tij.

Pas ofendimit, i pandehuri ka filluar që ta sulmoj dhe ta shtyjë me duar babin e tij, dhe si pasojë e kësaj  i dëmtuari është rrëzuar në tokë, dhe ka pësuar lëndime trupore.

“Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh sjelljen e mëparshme të pandehurit i cili është i regjistruar edhe si i dyshuar për vepër penale të kësaj natyre dhe vepra tjera penale, andaj këto rrethana tregojnë rrezikun se nëse i pandehuri lihet në liri do të përsërisë ndonjë vepër tjetër penale të kësaj natyre”, thuhet në njoftim.