Gjykata Themelore në Prizren

Paraburgim për dy të miturit në Prizren pasi tentuan të grabisin

Dy të miturve, Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar masën e paraburgimit për shkak të kryerjes së veprës penale të grabitjes.

Sipas komunikatës, i‘u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, e cila do të llogaritet prej datës 24.05.2021 deri me datën 23.06.2021.

Gjykata, siç thuhet në komunikatë, me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të miturve E.B., dhe E.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

Sipas komunikatës, me datën 25 maj, në parkingun e një qendre tregtare, me përdorimin e forcës apo kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, të miturit E.B., dhe E.K.,  e përvetësoi pasurinë e luajtshme të dëmtuarit F.E., në atë mënyrë që deri sa i dëmtuari ishte duke qëndruar në automjetin e tij, të miturit hyn brenda në automjet duke i kërcënuar me thikë për jetë dhe duke kërkuar të holla ku i dëmtuari F.E., i cili nën kërcënim ua jep paratë, e më pas të miturit po në kërcënim të armës – thikës, e detyrojnë të dëmtuarit që të miturit t’i dërgojnë në një vend tjetër.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit, ka pasur parasysh peshën e veprës penale e cila është e natyrës së rëndë, si dhe faktin se të miturit E.B. dhe E.K., janë të regjistruar edhe si kryerës dhe të gjykuar edhe për vepra tjera penale, pikërisht pranë Gjykatës Themelore në Prizren, prandaj këto rrethana tregojnë se nëse të miturit lihen në liri ka rrezik të përsëritjes së ndonjë vepre tjetër penale edhe më të rëndë.