Paraburgim për dy të dyshuar, u kapën me 5.5 kg heroinë

Gjykata Themelore e Ferizajt ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji dy të dyshuarve A. E., shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe S. A., shtetas i Republikës së Kosovës.

Të njëjtin dyshohet se kanë kryer veprën penale posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve.

“Të pandehurit dyshohet se më 8 tetor 2020 në Ferizaj, kanë poseduar pa autorizim substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, në atë mënyrë që i pandehuri A.E. lëndën narkotike e ka siguruar nga persona të panjohur në Maqedoni të cilën më pas e ka sjell në Kosovë, me ç’rast i pandehuri S.A të njëjtën e ka vendosur në një kioskë në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij, ku është duke qëndruar për pushime, ndërsa hetuesit DHTN-së pas zbatimit të urdhëresës së gjykatës për urdhër kontroll, kanë gjetur 5.5 kg (kilogram) lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, të cilat janë sekuestruar nga policia”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt.