Foto: Ilustrim

Paraburgim për burrin që dyshohet se rrahu me kabllo elektrike gruan e tij

Ditë më parë një burrë me inicialet E.F., është arrestuar nga policia pasi që i njëjti dyshohet se kishte rrahur bashkëshorten e tij. E gjithë ngjarja ka ndodhur në Prizren ndërsa sot ndaj të dyshuarit është vendosur masa e paraburgimit për 30 ditë.

Gjykata Themelore në Prizren ka dhënë detaje të ngjarjes e cila ka ndodhur më 17 janar të këtij viti duke e përshkruar se si kishte filluar dhuna ndaj gruas së tij e cila përfundoi me lëndime edhe të nënës së të pandehurit.

Në ditën kritike, i pandehuri E.F., sipas Prokurorisë para daljes nga shtëpia i kishte thënë bashkëshortes së tij që ta pastrojë ballkonin e shtëpisë dhe të largohet nga aty.

I pandehuri del nga shtëpia dhe kur kthehet fillon zënka mes të dyve ndërsa gjykata në njoftim tregon se burri edhe e kishte kërcënuar gruan e tij se so ta mbyste e më pas kishte filluar ta sulmoj fizikisht.

Burri kishte marrë një kabllo elektrike dhe me të kishte filluar ta godiste në të gjithë trupin e më pas e kishte goditur me shuplakë, e cila më vonë kaloi me kapje flokësh e keqtrajtim.

Duke parë ngjarjen nëna e burrit tenton të parandaloj keqtrajtimin e nuses, e cila merr lëndime trupore nga djali për shkak se i njëjti nuk kishte ndaluar së rrahuri gruan e tij.

Gjykata ka njoftuar se djali kishte kapur dhe shtrënguar për fyti nënën e tij e cila kishte marrë edhe lëndime të lehta trupore.

“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit E.F., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: dhuna në familje, nga neni 248 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), lëndimi i lehtë trupor dhe mospërfillja e gjykatës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.