Gjykata Themelore e Pejes - Foto: Atdhe Mulla.

Paraburgim për 2 drejtorët dhe 3 zyrtarët e Komunës së Pejës

Gjykata e Pejës i ka caktuar masën e paraburgimit 5 zyrtarëve të Komunës së Pejës nën dyshimin se kanë kryer vepra penale të korrupsionit.

Sipas burimeve të KALLXO.com, masa e paraburgimit është caktuar në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

Paraburgimi është caktuar ndaj drejtorit të Drejtorisë së Kadastrës Mustafë Nila, atij të pronës Arianit Krasniqi, dy zyrtarëve Osman Kollqaku dhe Arxhend Lleshi, si dhe inspektorit të ndërtimit, Mentor Beqiri.

Nila e Lleshi po hetohen për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria dyshon se ata kanë mundësuar regjistrimin e një pronë në kundërshtim me legjislacionin që rregullon këtë procedurë e tërë kjo me qëllim të marrjes sa më të shpejtë të lejes ndërtimore nga personat G.SH dhe H.K.

Dosja e Prokurorisë thotë se dy të pandehurit Nila e Lleshi nuk kanë vepruar në pajtim me vendimin e Komunës që përcakton detyrimin e organeve komunale për të dërguar për vlerësim të pronës për këmbim pranë organit kompetent.

Sipas Prokurorisë duke mos qenë ky vlerësim në shkresat e lëndës, e si një parregullsi e dukshme, e obligim i tyre për të mënjanuar këtë parregullsi, të dyshuarit lejojnë regjistrimin duke mos kërkuar plotësimin e shkresave me atë të vlerësimit të pronës dhe pagesave për obligimin.

Me këto veprime Mustafë Nila e Arxhend Lleshi po dyshohen se kanë mundësuar regjistrimin e pronës në atë drejtori personave G.SH dhe H.K, pa u përmbushur obligimet reciproke dhe pa u përcaktuar vlera reale e pronës se këmbyer e që këto vlerësime sipas prokurorisë janë bërë pasi që është bërë regjistrimi.

Dosja e prokurorisë thotë se të gjitha këto procedura janë kryer pa u bërë pagesa e vlerës së përcaktuar se pronës së këmbyer, e cila pagesë ka qenë mbi 25 mijë euro.

Sipas hetimeve të prokurorisë kjo është bërë me qëllim që G.SH dhe H.K të marrin sa me shpejtë lejen ndërtimore.

Ndërsa Krasniqi e Kollqaku po hetohen për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, e që Prokuroria ka kërkuar edhe paraburgimin ndaj tyre.

Prokuroria dyshon se ata me veprimet e tyre të pandehurit kanë dërguar deri të regjistrimi i një pronë në kundërshtim me ligjin.

Ndërsa, sipas Prokurorisë Beqiri ka qenë i ngarkuar si inspektor për inspektimin e objekteve “NNT Gështenja Ndërtimi” dhe “5 V Home”.

Dosja e Prokurorisë thotë se inspektori Beqiri nuk i ka inspektuar fazat e ndërtimit ashtu siç obligohet dhe nuk ka raportuar për parregullsitë e objektit i cili nuk ishte i ndërtuar sipas projektit në pikat gjeodezike të caktuara sipas kushteve dhe lejeve ndërtimore.

Po ashtu sipas Prokurorisë, i pandehuri Mentor Beqiri nuk i ka ndaluar këto punime por ka lejuar vazhdimin e tyre.