Paraburgim për 11 të dyshuarit për kontrabandim me migrantë

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 11 të pandehurve nën dyshimet se të njëjtit kanë bërë kontrabandim me migrantë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, nga muaji qershor në vazhdimësi deri në shtator 2021, në cilësinë e bashkëkryerësve, të pandehurit, merren me kontrabandë të migrantëve me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake në mes tyre, të pandehurit S.G., A.H., S.M., M.R., H.H., S.R., dhe A.B., (shtetas të Algjerisë, Sirisë Irakut dhe Palestinës) grupet e organizuara të migrantve i kanë marrë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke i futur në territorin e Republikës së Kosovës, jashtë vijës kufitare Morinë – Vërmicë.

“Me të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës migrantët i kanë pritur të pandehurit B.Sh., R.F.,, M.V., dhe S.J., (shtetas të Republikës së Kosovës), të cilët duke përdorë automjetet e ndryshme, transportojnë secilën herë nga 25 deri 30, migrantë sirian dhe të shteteve tjera aziatike, të cilët në mënyrë ilegale i kishin futur në Kosovë, të njëjtit i kanë vendosur në një Hotel, nga ku i kanë transportuar në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës dhe për këtë shërbim nga secili prej tyre marrin një shumë të caktuar të të hollave, ndërsa me datë 27 shtator 2021 gjatë kontrollit të hotelit janë hasur 92 migrantë, e duke u transportuar janë hasur mbi 30 migrantë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndaj të dyshuarit M.R., shtetas i Sirisë, të njëjtit gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit për shkak të dyshimit se ka kryer edhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, do të llogaritet prej kohës së arrestimit 27 shtator 2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 27 tetor 2021.

Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, dhe mënyrat dhe rrethanat e kryerjes së kësaj vepre penale ku të pandehurit në bashkëkryerje kanë organizuar në vazhdimësi kontrabandimin e migrantëve të huaj, si dhe sjelljen e mëparshme të të pandehurve B.Sh., R.I., M.V., dhe S.J. (shtetas të Republikës së Kosovës), të cilët janë kryerës të regjistruar edhe të veprave tjera penale e që lidhen kryesisht me vepra që kanë për qëllim përfitimin e dobisë pasurore.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.