Paraburgim një mujor vitiasve, të dyshuar për keqpërdorim tenderësh

Fadil Abazi, menaxher i Prokurimit në Komunën e Vitisë dhe Florim Ramaj zyrtarë i Komunës së Vitisë, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me menaxhimin e tenderëve, do të qëndrojnë nga 30 ditë në paraburgim.

Kjo është bërë e ditur nga zyrtari për informim në Gjykatën e Gjilanit, Sabit Shkodra, i cili për KALLXO.com tha se ndaj të dyshuarve të lartëcekur, Gjykata ka vendosur t’u caktoj masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ndryshe, në seancën dëgjimore të mbajtur sot në Gjykatën e Gjilanit, Prokurori Isuf Sadiku deklaroi se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit e kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare, e që këtë dyshim prokuroria tha ta ketë të mbështetur në prova.

Kurse të pandehurit, Fadil Abazi dhe Florim Ramaj, si dhe avokatët e tyre Shemsedin Pira respektivisht Blerina Dërmaku, e kanë kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit duke kërkuar një masë më të lehtë.

Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të siguruar nga KALLXO.com i pandehuri Fadil Abazi, në cilësinë e personit zyrtar, menaxher i Prokurimit në Komunën e Vitisë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, me dashje ka tejkaluar kompetencat dhe ka shkelur detyrat e përcaktuara me ligj.

Në kërkesë thuhet se i pandehuri gjatë dhënies së tenderit “Asfaltimi i rrugëve rurale për LOT I”, ka bërë urdhërpagesë për shtrimin e rrugës me asfalt dhe ka paguar gjithsej 11,100.75 €, dhe pastaj për të njëjtën rrugë, ka nënshkruar urdhërpagesë, për shtrim me zhavorr në vlerë prej 6,870.00 €, pra, pas shtrimit me asfalt ka bërë pagesë për shtrim me zhavorr, me të cilin veprim pagesë prej 6,870.00 €, e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Vitisë.

I pandehuri pastaj ka lëshuar urdhërpagesë për asfaltimin e rrugës “Berjanët” në fshatin Pozheran, në vlerë prej 18,890 €, pastaj po për të njëjtën rrugë, ka nënshkruar urdhërpagesë në vlerë prej 2,877.00 €, për shtrimin me zhavorr, pra pas shtrimit te rrugës me asfalt ka bërë pagesë për shtrim me zhavorr, me të cilin veprim – pagesë në vlerë prej 2,877.00 €, e ka dëmtuar Komunën e Vitisë.

Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri Florim Ramaj, në cilësinë e personit zyrtar-menaxher i projektit, në Komunën e Vitisë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, me dashje, ka tejkaluar kompetencat dhe ka shkelur detyrat e përcaktuara me ligj.

Në kërkesë thuhet se i pandehuri Florim Ramaj, ka ofruar dokumentacion të rrejshëm kinse janë kryer punimet në Rrugën “Lavdia e UÇK-së” në fshatin Terpezë, duke ofruar dokumentacion se kinse është hedhur zhavorr përkitazi me tenderin “Asfaltimi i rrugëve rurale për LOT I”, dhe pasi që ka ofruar dokumentacion e lartpërmendur, nga menaxheri i prokurimit është nënshkruar dhe është paguar urdhërpagesë, për shtrim me zhavorr, në vlerë prej 6,870.00 €, edhe pse urdhërpagesë për shtrimin e kësaj rruge me asfalt është paguar paraprakisht gjatë vitit 2019 (është paguar në dy pjesë më datë 08.10.2019, më 21.11.2019,) në vlerë prej 11,100.75 €, me të cilin veprim ka dëmtuar Komunën e Vitisë në shumen prej 6,870.00 €.

Po ashtu me datën 08.04.2020, është lëshuar urdhërpagesa sipas tenderit për rrugën “Berjanët”, në vlerë prej 18,890 €, pastaj po për të njëjtën rrugë në fshatin Pozheran, pasi që rrejshëm ka prezantuar dokumentacion se kinse është shtruar me zhavorr, menaxheri i prokurimit ka nënshkruar urdhërpagesë në vlerë prej 2,877.00 €, pra, pas shtrimit të rrugës me asfalt kinse është bërë shtrimi me zhavorr, me të cilën pagesë në shumën prej 2,877.00 €, e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Vitisë.