Gjykata e Mitrovicës në veri, Foto: KALLXO.com
Paraburgim ndaj zyrtarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, i arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti
Është caktuar masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj zyrtarit komunal të Mitrovicës së Jugut, i u arrestua nën dyshimin se mori ryshfet.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Gjykatës së Mitrovicës, Hateme Haxhaj.
“Po, është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”- ka thënë Haxhaj për KALLXO.com.
Sot, më 05.07.2024, Prokuroria e Mitrovicës ka dorëzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatë ndaj zyrtarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar dje, më 04.07.2024, një zyrtar të Komunës së Mitrovicës së Jugut për marrje ryshfeti.
I dyshuari B.S. është kapur në flagrancë në qendër të qytetit pasi kishte pranuar ryshfet 200 euro.
“Në koordinim me prokurorinë, më 04.07.2024 rreth orës 12:20, në sheshin ,,Isa Boletini” në Mitrovicë ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin pasi i njëjti ka marrë ryshfetin në shumën prej 200 eurove”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Zyrtari i arrestuar dyshohet se kishte kërkuar dhe pastaj marrë 200 euro nga një qytetar për rregullimin e dokumentacionit për përfitimin e një granti që lidhet me riatdhesimin.
Kapja e tij ka ndodhur pas aplikimit të masave të fshehta hetimore.
“Hetimi për rastin është zhvilluar me aplikim të masave të fshehta hetimore dhe për zhvillimin e operacionit, policia ka pasur urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës – Departamenti për Krime të Rënda” – thuhet në komunikatë.
Lidhur me këtë rast në emisionin “Kallxo Përnime” të dielën do të shfaqen pamje ekskluzive.
Arrestohet zyrtari i Komunës së Mitrovicës, dyshohet se mori ryshfet