Prapa grilave - Ilustrim

Paraburgim ndaj të dyshuarit se i mori viktimës 17 mijë euro për vizë sllovake

Gjykata në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj H. H., për veprën penale të mashtrimit dhe të kanosjes.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Gjykata e Prizrenit, H. H., nga muaji mars e deri në dhjetor të vitit 2022, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, e ka mashtruar të dëmtuarin A. A. duke u paraqitur si rregullues i vizave sllovake.

Kështu duke e vënë në lajthim të dëmtuarin A. A., pasi ky i fundit kishte shprehur interesim për rregullim të vizës sllovake për të birin.

Sipas Gjykatës, pandehuri H. H. në vazhdimësi kërkon të holla në vlerë prej 17 mijë euro në emër të procedurave të rregullimit të vizës.

“Por që i dëmtuari asnjëherë në kohën e specifikuar nuk pajiset me vizë e as nuk i kthehen paratë. Paratë  i dëmtuari kohë pas kohe ia dërgonte të pandehurit përmes transaksioneve bankare”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Tutje Gjykata bën të ditur se pasi A.A. nuk ishte pajisur me vizë kishte lindur mosmarrëveshja dhe më datën 16 dhe 17 dhjetor të vitit 2022 i pandehuri H. H. e kanos të dëmtuarin.

Në njoftim thuhet se “I pandehuri në gjendje të acaruar, e kanos të dëmtuarin A. A. duke i dërguar porosi me zë më fjalë kërcënuese në gjuhën boshnjake “do të masakroj”, duke i shkaktuar të dëmtuarit ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë”.