Paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasje të rëndë në Manastirc të Ferizajit

Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit Leutrim Fejza për veprën penale: “vrasje e rëndë”.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L. F., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: ‘vrasja e rëndë’.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajit.

Prokurori i këtij rasti është Shukri Jashari, ndërsa gjyqtar i procedurës paraprake është Habib Zeqiri.

“Me të arritur afër fshatit (Manastirc) i pandehuri për motive ende të panjohura e godet fillimisht me sëpatë në kokë nga mbrapa, pastaj e godet edhe disa herë në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar dhimbje, derisa të njëjtin e privon nga jeta. Pastaj, i njëjti viktimën e gropos në një vend në mal duke e mbuluar me dhe e drunj kufomën, me qëllim të fshehjes dhe zhdukjes së gjurmëve dhe largohet nga vendi i ngjarjes.” – kështu thuhet në Dosjen për të dyshuarin Leutrim Fejza, i cili u arrestua të mërkurën, më 05.02.2025, nën dyshimet për vrasjen e Bekim Varit.

Në Dosjen që e ka siguruar KALLXO.com thuhet se: “Më 23.01.2025, në orët e pasdites, në malet e fshatit Manastirc – Ferizaj, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta viktimën Bekim Vari”.

Në Dosje përshkruhet se i dyshuari Fejza, së bashku me tashmë viktimën, më 22.01.2025, kishin shkuar fillimisht në një villë në malet e fshatit Pleshinë të Ferizajit.

“Aty qëndrojnë së bashku, kurse të nesërmen të dy në këmbë nisen për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, ashtu që për shkaqe të panjohura deri më tani të njëjtit devijojnë rrugën dhe vazhdojnë për në malet e fshatit Manastirc.” – thuhet tutje në Dosje.

Sipas Dosjes, më 05.02.2025, nga disa persona të fshatit Manastirc gjendet trupi i pajetë i viktimës, si dhe në afërsi të kufomës ishin gjetur edhe rrobat e tij të djegura.

Kështu përshkruhen në Dosje disa nga veprimet për të cilat dyshohet i arrestuari Leutrim Fejza, i njohur me nofkën “Temuz”.

Ndaj tij, Prokuroria e Ferizajit njoftoi të enjten, më 06.02.2025, se ka kërkuar 30 ditë paraburgim.

Prokuroria në Dosjen që i ka dorëzuar Gjykatës ka theksuar se ka siguruar disa prova në bazë të të cilave ekziston dyshimi i bazuar se Leutrim Fejza është i dyshuar për “vrasjen e rëndë”.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit F. L., nga fshati Pleshinë e Ulët – Komuna e Ferizajit, për shkak të dyshimit të veprës penale: ‘vrasje e rëndë’ – sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 23.01.2025, në orët e pasdites, në malet e fshatit Manastirc të Komunës së Ferizajit, i pandehuri F. L., në mënyrë mizore dhe për motive ende të panjohura ka privuar nga jeta viktimën B. V. dhe i njëjti më pas e gropos viktimën në një vend në mal, me qëllim të fshehjes dhe zhdukjes së gjurmëve dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Kurse, më 05.02.2025, nga disa persona të fshatit Manastirc gjendet trupi i pajetë i viktimës B. V., me të cilën do të kryente veprën penale: ‘vrasje e rëndë’, Neni 173 Paragrafi 1 Nënparagrafi 1.4 të KPRK-së. I pandehuri F. L., që nga data 5 shkurt 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orë për veprën penale të lartcekur.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

KALLXO.com të mërkurën, më 05.02.2025, raportoi se Leutrim Fejza ishte ndaluar për 48 orë nën dyshimet për vrajsen e Bekim Varit, i cili ishte raportuar si person i zhdukur, që nga 22.01.2025.

Sipas njoftimit të Policisë, familjarët kishin raportuar më 29.01.2025 se Bekim Shaban Vari ishte larguar nga shtëpia në fshatin Pleshinë e Ulët të Ferizajit, më 22.01.2025, rreth orës 17:00 dhe që nga ajo kohë nuk dihej asgjë për vendndodhjen e tij.