Paraburgim ndaj të dyshuarit për plagosjen e gruas në Fushë Kosovë

Gjykata e Prishtinës e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës lidhur me vendosjen nën masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj I. A. – burrin që dyshohet se plagosi bashkëshorten e tij në Fushë Kosovë.

Këtë për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës Mirlinda Gashi.

Vendimi lidhur me këtë masë të sigurisë është marrë më 07.08.2024 nga gjyqtari i procedurës paraprake Naser Foniqi, pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

Kërkesën për paraburgim e ka parashtruar sot (07.08.2024) Prokuroria e Prishtinës, përkatësisht prokuroria Fatmire Cacaj.

I. A. dyshohet se ka plagosur gruan e tij mëngjesin e datës 06.08.2024 në Bresje të Fushë Kosovës.

KALLXO.com ka mësuar se të njëjtit janë burrë e grua, mirëpo nuk jetonin bashkë në të njëjtin vend.

Gjendja e gruas së plagosur aktualisht është stabile, e të njëjtës iu janë bërë ekzaminimet e nevojshme mjekësore.

Lajmi për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo tha se lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar.

Raportimet paraprake të Kallxo.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.