(Ilustrim)

Paraburgim ndaj të dyshuar për vrasje në tentativë për shkak të zënkës në komunikacion

Gjykata Prizrenit ka vendosur që t’i caktoj masën e paraburgimit personit i cili dyshohet se ka kryer veprat penale vrasja në tentativë dhe mbajtja në pronësi të paautorizuar të armëve.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Gjykata, gjyqtari i procedurës Skender Çoçaj, e ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 10 janar 2022 dhe që mund të zgjasë deri më datën 10.02.2022, ndaj të pandehurit L. V.

Gjykata ka sqaruar se më 10 janar të këtij viti në Prizren, i pandehuri L. V. ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin B. G., i cili ishte me familjar në automjetin e tij.

Sipas komunikatës, shkaku i ngarkesës së trafikut rrugor ishte krijuar kolonë e veturave. Më tutje thuhet se i dëmtuari pasi që ishte i rreshtuar pas veturës së të pandehurit i kishte rënë borisë disa herë për ta sinjalizuar të pandehurin që të lëvizë dhe ta lirojë rrugën dhe në atë moment kishte filluar fjalosje ku i pandehuri e kishte marr një pistoletë në dorë dhe kthehet tek vetura e të dëmtuarit.

“Dy personat pas shkëmbimit të disa fjalëve, fillimisht me dorezën e pistoletës e godet të dëmtuarin B.G., në kokë, me ç ’rast i dëmtuari B.G., i vërsulet të pandehurit L.V., duke tentuar t’ia tërheq pistoletën nga dora dhe në atë moment i pandehuri shkrep një herë me pistoletë duke e plagosur viktimën në këmbën e tij të majtë”, thuhet në komunikatë, derisa viktima, ndonëse i plagosur, vazhdon t’ia mbajë duart të njëjtit për të mos shkrepur edhe më tej.

Policia pasi kanë arritur në vendin e ngjarjes, e kanë arrestuar të pandehurin, ndërsa viktima si rezultat i armës së zjarrit kishte pësuar lëndime trupore në kokë dhe në këmbën e tij të majtë.

“Me datë, kohë dhe vend te njëjtë të përshkruar si më lartë i pandehuri L.V., mban në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar armën e zjarrit në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët e tilla”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm. Sipas Gjykatës i pandehuri edhe më herët ishte i regjistruar edhe si kryerës i shumëfishtë i veprave tjera penale kryesisht vepra penale të dhunës.

“Caktimi i paraburgimit sipas kësaj baze është më i arsyeshëm dhe ka për qëllim parandalimin e përsëritjes së ndonjë vepre tjetër penale”, thuhet në komunikatë.