Foto-ilustrim

Paraburgim ndaj dy instruktorëve në Viti, dyshohet se morën ryshfet nga kandidati për patentë shofer

Gjykata e Gjilanit ka caktuar paraburgimin prej një muaji kundër dy personave që dyshohet se morën ryshfet nga një kandidat për marrjen e patentë shoferit.

Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi se i pandehuri N. H. pronar dhe instruktor i vozitjes në auto shkollë në Viti, është përfshirë në marrje të ryshfetit, në atë mënyrë që para 2-3 muajve takohet me kandidatin M. S., dhe nga ai në emër të regjistrimit për marrje të patentë shoferit merr 300 euro, e më pas aty arrin marrëveshje që me rastin e kalimit të testit me shkrim kandidati, t’ia jap edhe 400 euro.

Kandidati me datën 02.02.2023, ka pasur t’i nënshtrohet testit teorik për leje të vozitjes dhe atë ditë të pandehurit dyshohet se ja vendosen kandidatit pajisjet ilegale(kamera dhe mikrofon).

Sipas njoftimit të Gjykatës, pasi që kandidati hynë në test, zihet nga vëzhguesit e testit, me ç’rast edhe kontrollohet me detektor dhe i gjenden pajisjet.

“Të njëjtën ditë kandidati paraprakisht është takuar me të pandehurit, më ç’rast i pandehuri e merr të njëjtin me veturën e tij e dërgon në një shtëpi, së bashku me L. P. (në arrati) dhe V. B. (instruktor), i’a vendosin pajisjet ilegale montuese (kamera e mikrofon) në trup dhe vesh, pasi që kandidati hynë në test, zihet nga vëzhguesit e testit, me ç’rast edhe kontrollohet me detektor, e pas kontrollimit pajisjet ilegale montuese gjenden në trupin e tij”- thuhet në njoftim.

Me këto veprime të pandehurit N. H. dhe V. B. dyshohet të kenë kryer veprën penale “marrje e ryshfetit në bashkëveprim”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Tutje thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, duke i marr për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.